APD: Sezoni turistik 2019-2020, 16 kroçera “prenotojnë” lundrimet drejt Durrësit

16 anije të mëdha turistike parashikohet të mbërrijnë në sezonet turistike 2019- 2020 në portin e Durrësit. Lista e kroçerave dhe velierave, së bashku me datat e ankorimit në Durrës janë bërë të njohura në faqen Web të APD.

Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se 8 prej tyre do të vijnë në qytetin bregdetar gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa pjesa tjetër në vitin 2020, kryesisht në stinën e ngrohët nga muaji qershor deri në fillim të nëntorit.

Lundrimet e parashikuara administrohen prej njërës prej agjencive të specializuara në Durrës, ndërsa priten edhe të dhënat e agjencive të tjera, që menaxhojnë mbërritjen e kroçerave dhe velierave të mëdha.

“Amera”, “Silver Shadow” apo “Seabourn Ovation” janë disa nga kroçerat që nw vitet 2019-2020 do të ankorohen për herë të parë në portin më të madh të vendit.

Që kur numri i kroçerave në Durrës filloi të rritej, APD ka marrë të gjitha masat për sigurinë e lëvizjes së mjeteve lundruese dhe të udhëtarëve që mbërrijnë me to.