APD: shkurt 2019, përpunohen tre anije me mallra tranzit për në Kosovë

Tre anije tregtare, dy nga të cilat ende në përpunim në kalatat e portit më të madh të vendit, kanë sjellë këto ditë mallra që do të vijojnë udhëtimin tranzit drejt Kosovës.

Në Qendrën e Informacionit në APD, mësohet se aktualisht në kalatën 5 po shkarkohet anija “Chintana Naree”. Ajo ka sjellë 9.692 ton llamarinë me rrotativa, porosi e grosistëve nga Kosova. Mësohet gjithashtu se rrotativat e llamarinës të ngarkuar në kamjonë vijojnë menjëherë udhëtimin drejt Prishtinës.

Ndërkohë, në kalatën 2 po shkarkohet anija “Nali” me 2.014 ton xhama, që po vijojnë rrugëtimin tranzit me kamjonë drejt Kosovës.

4.928 ton grurë me destinacion Kosovën solli në portin e Durrësit edhe anija “River Grace”, e cila përfundoi shkarkimin ditën e djelë.

Një muaj më parë në Portin e Durrësit ka filluar të funksionojë Zyra Doganore e Kosovës. Sipas qeveritarëve në të dy vendet, kjo Zyrë përbën hapin e parë të rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës.