Në Terminalin Perëndimor, një nga tre Terminalet e Mallrave në portin e Durrësit, që nga fillimi i muajit shtator janë përpunuar 26 anije tregtare me mallra importi. Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual, bën me dije se në periudhën 1 – 25 shtator nga anijet e akostuara në Terminalin Perëndimor, siç njihet Terminali i Mallrave Gjenerale, janë shkarkuar 26 anije tregtare me afro 75 mijë ton mallra gjithsej. Sipas të njejtit burim, nga gjashtë prej anijeve janë shkarkuar mbi 23 mijë ton grurë, ndërsa nuk mungojnë edhe sasi të ndryshme mallrash importi, si çimento, llamarinë, hekur ndërtimi, xhama, plehra kimike dhe melaminë. Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet gjithashtu se në Terminalin Perëndimor edhe sot paradite vazhdon përpunimi i dy anijeve të tjera me nitrat dhe mallra ushqimore, afro 3 mijë ton gjithsej.