ATSH : Deti, alternativa konkuruese e transportit rrugor të mallrave

Zhvillimi i “rrugëve të detit” po shihet gjithnjë e më tepër si një alternativë konkuruese e transportit rrugor të mallrave, për shkak të kostos më të ulët.

Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) shkruan sot se “në nëntëmujorin e vitit 2019, vlera e mallrave të tregtuara (eksport dhe import) sipas raportit të publikuar sot nga Instituti i Statistikave (INSTAT) është 706,1 miliard lekë dhe 52% e tyre u transportua me det. Sipas INSTAT, në periudhën janar-shtator 2019, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 3,4 milionë tonë, duke u rritur me 17.8%, krahasuar me vitin 2018 – shkruan ATSH.

Volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte, bëhet e ditur në raportin e publikuar nga INSTAT, në muajin shtator 2019 është 396 mijë tonë, duke u rritur 23.5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Në shtator, mallrat e eksportuara me det zënë 61.7% të volumit të mallrave të eksportuara, ndërsa për periudhën 9-mujore mallrat e eksportuara me det zënë 59.1 %.

Për sa i përket importit të mallrave, në shtator, mallrat e importuara me det zunë 47.7% të vëllimit të përgjithshëm, ndërsa në nëntëmujorin e 2019, mallrat e importuara me det zënë 48.7% – përfundon ATSH.