Biznesi i Emirateve të Bashkuara Arabe, interesim për kapacitetet e portit të Durrësit

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD, z. Agron Tare priti të hënën pasdite një grup biznesmenësh nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të interesuar për kapacitetet përpunuese të portit të Durrësit si dhe për zhvillimet aktuale të tij. Specialistët e sektorit të promocionit në APD prezantuan situatën në Terminalet portuale, volumet vjetore të përpunimit të mallrave si dhe shkëmbimet tregtare nga porti i Durrësit me vende të ndryshme, jo vetëm në Evropë.

Ndryshimet e pritshme pas realizimit të disa projekteve të rëndësishme, mes të cilave thellimi i basenit dhe kanalit hyrës të portit zunë një vend të veçantë në Takimin e Drejtorit, Agron Tare me biznesmenët nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Në Takim u diskutua mbi rolin e portit të Durrësit në transportet tranzit me vendet e rajonit, veçmas me Kosovën, si dhe për perspektivën e ardhshme. Z. Izzat Dajani, në emër të përfaqësuesve të biznesit arab vlerësoi veprimtarinë e portit të Durrësit, ndërsa u ndal veçmas në mundësitë e bashkëpunimit të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) përmes portit më të madh të Shqipërisë.