Qendra e Ekselencës për Çështjet Detara ka certifikuar grupin e parë të praktikantëve të cilët përfituan praktikë profesionale pranë Autoritetit Portual Durrës.
Në kuadër të programeve të aftësimit profesional të Qendrës së Ekselencës për Çështjet Detare (CEMA), në ambjentet e Sallës së Konferencave “Hysni Aruçi” në Portin e Durrësit u zhvillua ceremonia përmbyllëse e Programit të Praktikave Profesionale në fushën e administrimit portual, ku 10 studentë finalizuan me sukses rrugëtimin e tyre gjashtë mujor të këtij programi në sektorë të ndryshëm të APD.
Gjatë ceremonisë së sotme, kreu i APD-së, Pirro Vengu, theksoi se:
“Jemi në përmbyllje të një eksperience të parë shumë të mirë e cila ka qenë e dobishme për secilin prej specializantëve ndaj dhe mendojmë që të pasohet edhe me cikle të tjera të këtij programi. Ashtu siç edhe kishim premtuar duke parë ecurinë tuaj dhe vlerësimet e ekipit drejtues, Autoriteti Portual është sot i gatshëm të propozojë dy kontrata punësimi për specializantët që kanë patur performancën më të mirë.
Ndërkohë që Qendra e Ekselencës për Çështjet Detare, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive do të mbeten të angazhuara në vijimësi për të ofruar mundësi punësimi edhe për pjesën tjetër nëpërmjet kompanive ndërkombëtare të cilat operojnë në Portin e Durrësit, në mënyrë që të mund të vijojnë profesionalizimin e tyre në këtë sektor.
Duke marrë në konsideratë projektet madhore dhe investimet modernizuese në infrastrukturën portuale të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, do t’ju sugjeroja që të mos neglizhoni sektorin detar pasi është një mundësi shumë e mirë karriere dhe do të jeni të mirë pozicionuar pasi kërkesat për profesionistë të transportit dhe logjistikës detare do të jenë gjithmonë në rritje.”
Në mbyllje të kësaj ceremonie u bë shpërndarja e certifikatave nga kreu i APD si dhe disa nga drejtuesit kryesorë të cilët edhe kishin mbikqyrur specializantët gjatë gjithë eksperiencës së tyre në portin më të madh në vend.
Rekrutimi i të rinjve dhe kualifikimi i vazhdueshëm i profesionistëve të rinj të profilizuar në sektorët e detarisë janë objektiva thelbësore për ta kthyer transportin dhe logjistikën detare në shtylla të qendrueshme të zhvillimit ekonomik të vendit, ndaj dhe mbështetja e Autoritetit Portual Durrës nëpërmjet Qendrës së Ekselencës për Çështje Detare për formimin profesional dhe kualifikimin e vazhdueshëm të të rinjve që aspirojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre profesionale në sektorin detar mbetet prioritet.