Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Autoriteti Portual Durrës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbimin e të dhënave të ngarkesave detare përmes platformës ASYHUB

22.10.2025

Në vijim të përpjekjeve për digjitalizimin dhe modernizimin e proceseve doganore, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Autoriteti Portual Durrës kanë nënshkruar sot një Marrëveshje Bashkëpunimi për shkëmbimin e të dhënave të informacionit paraprak për ngarkesat detare në hyrje dhe dalje, përmes platformës inovative ASYHUB.

Kjo marrëveshje, e firmosur nga z. Genti Gazheli, Drejtor i Përgjithshëm i Doganave, dhe z. Kreshnik Bajraktari, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, synon të forcojë bashkëpunimin institucional ndërmjet dy strukturave në drejtim të dixhitalizimit të shkëmbimit të informacionit dhe përmirësimit të menaxhimit të riskut në transportin detar.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave z. Gazheli u shpreh se “informacionet që do të marim në avancë, bazur në informacionin paraprak të hyrjes apo daljes të ngarkesave detare të marra nga sistemi ASYHUB, do të na ndihmojnë për përzgjedhjen për kontroll të ngarkesave me risk, bazuar në rezultatet e analizave të riskut dhe dhënien prioritet çlirimit të ngarkesave me risk të ulët për mallrat që mbërrijnë në portin e hyrjes (përpunimi para mbërritjes) apo të daljes (përpunimi para nisjes)”.

Përmes integrimit të platformës ASYHUB me sistemet ekzistuese të Doganës dhe Portit, do të mundësohet shkëmbimi automatik dhe i sigurt i të dhënave për ngarkesat detare, që dorëzohen nga transportuesit përpara mbërritjes ose nisjes së anijeve. Kjo pritet të sjellë:

•​Thjeshtim dhe automatizim të procesit të dorëzimit të manifestit të ngarkesës;

•​Reduktim të barrës administrative për operatorët ekonomikë;

•​Rritje të efikasitetit në përpunimin doganor të mallrave;

•​Përmirësim të menaxhimit të riskut dhe sigurisë në kufijtë detarë.

Ky hap përbën një tjetër zhvillim të rëndësishëm në procesin e modernizimit të administratës doganore dhe dixhitalizimit të zinxhirit logjistik, në funksion të lehtësimit të tregtisë dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj operatorëve ekonomikë.

Për Administratën Doganore, digitalizimi i procedurave dhe në mënyrë të vecantë forcimi analizës së riskut për të balancuar lehtësitë për biznesin e ndershëm dhe forcimin e kontrollit për parandalimin e kontrabandës dhe avazionit fiskal, janë prioritetet kryesore të strategjisë së Teknologjisë së Informacionit.