Një delegacion i Autoritetit Portual të Durrësit u takua sot paradite në Shkup me drejtues të Dhomës Ekonomike të Maqedonisë, si dhe me përfaqësues të biznesit të vendit fqinj. Delegacioni i drejtuar nga Drejtori i Përgjithshëm, ing. Gazmend Shalsi kishte në përbërje edhe drejtues të drejtorive të Financës dhe të Zhvillimit teknik në APD.
Takimi me temë “Porti i Durrësit -Mundësitë dhe Potenciali i Përdorimit të Shërbimeve Portuale” , i organizuar nga Dhoma Ekonomike Maqedonase dëshmoi interesin në rritje për portin e Durrësit, si një port mjaft i afërt dhe i vlefshëm për bizneset maqedonase. Tepër i lartë edhe interesimi i mediave vendase, të cilat u njohën para Takimit nga drejtori Shalsi me synimet e Autoritetit Portual të Durrësit në marrëdhëneit me biznesin maqedonas.
Në pronocimin e tij z. Shalsi tha se qeveria shqiptare po punon për të çuar përpara projektet që lidhen me Koridorin Tetë në fushën e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, si dhe atë të Rrugës së Arbrit.
Ndërkaq, në portin e Durrësit është përgatitur projekti i thellimit të basenit dhe kanalit hyrës, si dhe rivendosja e lidhjes hekurudhore të portit me sistemin shtetëror. Thellësia maksimale do të arrijë në 10.5 metra, çka do të mundësojë hyrjen e anijeve deri në 20 mijë ton dhe me ngarkesa prej 1000 kontejnerësh-tha para mediave z. Shalsi, duke shtuar se APD synon të bëhet partneri portual nr 1 i bizneseve të vendit tuaj.
Këto janë prioritetet, që pritet të përmirsojnë ndjeshëm performancën e portit të Durrësit. Ne do të mbështetemi fuqishëm në tarifat konkuruese dhe në shërbimet cilësore, krahasuar me portet e rajonit-përfundoi drejtori i APD, Gazmend Shalsi.
Porti i Durrësit është më i vjetri dhe më i madhi në Shqipëri. Nëpërmjet tij realizohen rreth 80 % e transporteve detare të vendit tonë. Gjatë viteve të fundit përpunimet vjetore arrijnë në 3.5 milion ton mallra dhe 750 mijë udhëtarë. Sidoqoftë, kapacitetet reale të tij janë më të larta, ato shkojnë deri në 5 milion ton mallra dhe 1 milion udhëtarë me tragete.