Drejtuesit e Autoritetit Portual Durrës dhe Autoritetit Portual të Rijekës (Kroaci) nënshkruan sot në mesditë një Memorandum Mirëkuptimi, duke pasur parasysh rëndësinë e një bashkëpunimi më të gjerë dypalësh në fushën e transportit detar dhe industrisë portuale.
Në Takimin që u zhvillua në mjediset e APD, drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Afrim Bakaj tha se kjo marrëveshje ka rëndësi të veçantë dhe synon të shtrijë bashkëpunimin në disa fusha, mes të cilave edhe në krijimin e kushteve për një linjë tragetesh për udhëtarë dhe automjete që do të bashkojë të dy qytetet tona. Z. Bakaj vlerësoi se këto janë hapa me rëndësi për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian, proces në të cilin edhe Kroacia, si vend anëtar luan një rol mjaft të rëndësishëm.
Në Takim përshëndeti znj. Sanja Bujas Juraga, Ambasadore e Republikës së Kroacisë në Tiranë. Ajo tha se ndjehet e lumtur që bashkëpunimi i nisur dy vjet më parë po konkretizohet në një marrëveshje Bashkëpunimi dypalësh mes të dy porteve tona.
Znj Juraga tha se në këtë marrëveshje një rol të veçantë kanë luajtur përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Kroaci, ndërsa nënvizoi edhe takimet që kanë patur sot në Fakutetin e Detarisë dhe Navigacionit në UAMD.
Prefekti i Durrësit dhe Krujës, Roland Nasto përshëndeti pjesmarrësit nga të dy portet dhe vlerësoi rëndësinë e këtij Memorandumi për të dy qytetet dhe vendet tona.
Drejtori i Përgjithshëm i APD, Afrim Bakaj dhe znj. Zorka Beganović, zv. Drejtore Ekzekutive e APR, (në emër të Drejtorit Ezekutiv, z. Denis Vukorepa) nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit.
Palët ranë dakord të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në çështjet që kanë të bëjnë me promovimin dhe bashkëpunimin ekonomik, me qëllim rritjen e shkëmbimit tregtar.
Shkëmbimi i informacionit, Promovimi, Zhvillimi elektronik, Takimet dypalëshe, Negociatat dhe konsultimet janë disa nga fushat e bashkëpunimit mes APD dhe APR.
Anëtarët e Delegacionit kroat vizituan më pas Terminalet e portit të Durrësit.