03.11.2026
Autoriteti Portual Durrës mori pjesë në “Javën e Transportit Ujor 2026” (Waterborne Week 2026), aktivitetin ndërkombëtar të organizuar nga Komuniteti i Përhershëm i Transportit (Transport Community), më 28–29 tetor, në Sarajevë, Bosnjë-Hercegovinë.
Nën moton “Lidhim transportin, lidhim njerëzit” (Connecting Transport, Connecting People), aktiviteti bëri bashkë përfaqësues të institucioneve evropiane, autoriteteve të transportit dhe partnerëve rajonalë, me fokus zhvillimin e një transporti ujor më të sigurt, më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm.
Në kuadër të Takimit të 18-të të Komitetit Teknik për Transportin Ujor dhe Multimodal, përfaqësuesi i Autoritetit Portual Durrës, Vegim Hoti, prezantoi një panoramë të situatës aktuale të Portit të Durrësit, arritjet e deritanishme dhe planet për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës dhe shërbimeve portuale.
Pjesëmarrja e Autoritetit Portual Durrës në këtë forum ndërkombëtar dëshmon angazhimin institucional për forcimin e bashkëpunimit rajonal, shkëmbimin e përvojave dhe mbështetjen e nismave që synojnë modernizimin e sektorit portual dhe integrimin e tij në rrjetet evropiane të transportit.



