17 prill 2025
Më 15 prill, në ambientet e Sallës së Konferencave “Hysni Aruçi”, nisi trajnimi tre-ditor për efektivët e Forcës së Sigurisë Portuale, me fokus “Radio Ndërlidhjen”. Ky program është pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Komandën e Forcës Detare dhe Rojën Bregdetare, dhe synon rritjen e kapaciteteve të komunikimit dhe koordinimit në strukturat e sigurisë portuale.
Forca e Sigurisë Portuale, si një strukturë kyçe në Autoritetin Portual Durrës, ka në fokus përmirësimin e vazhdueshëm të performancës dhe forcimin e parametrave të sigurisë përmes trajnimeve profesionale dhe përgatitjes fizike të stafit.
Nën drejtimin e Major Fatbardh Lika, nga Distrikti Detar Verior, 52 punonjës të efektivit u trajnuan mbi rregulloret, specifikimet teknike dhe procedurat standarde të komunikimit përmes mjeteve të ndërlidhjes, përfshirë radio VHF dore dhe stacionare. Qëllimi i trajnimit ishte rritja e efikasitetit dhe disiplinës në komunikimin operativ, si një komponent thelbësor i sigurisë portuale.
Në përmbyllje të programit u zhvillua ceremonia e certifikimit të pjesëmarrësve, me praninë e Drejtorit Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës, z. Kreshnik Bajraktari, si dhe përfaqësuesve të lartë të strukturave detare që operojnë në port.








