Janar-shtator 2026, mbi 3 milionë tonë mallrat ë përpunuara në kalatat e Portit të Durrësit 

21.10.2026 

Aktiviteti tregtar në Portin e Durrësit përgjatë 9 mujve ka pësuar rritje të ndjeshme, kryesisht në sektorin e eksporteve, ndërsa përformanca më e lartë është regjistruar në përpunimin e mallrave të kontenerizuar.  

Sipas të dhënave statisikore të Autoritetit Portual Durrës, gjatë nëntë muajve të parë të vitit, volumi i mallrave të përpunuara në Portin e Durrësit arriti në 3 milionë tonë, duke u rritur me rreth 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. 

Eksportet përbëjnë një nga shtyllat kryesorë të rritjes, me një volum prej 965.948 tonësh, rreth 39% më shumë në raport me nëntëmujorin e vitit paraardhës. Kjo ecuri është ndikuar kryesisht nga rritja e eksporteve të transportuara me njësi konteinerike, ndërsa qarkullimi i mallrave të eksportuara me anije kanë ruajtur ritme të qëndrueshme. 

Në të njejtën periudhë, volumi i importeve arriti në 2.119.623 tonë, duke shënuar rënie krahasuar me janar-shtatorin 2025. Megjithatë, rritja e eksporteve dhe zgjerimi i aktivitetit në sektorin e konteinerëve kanë kompensuar këtë ecuri dhe kanë mbështetur rritjen e volumit të përgjithshëm të mallrave të përpunuara në portin më të madh në vend. 

Sektori i konteinerëve vijon të jetë një nga kontributorët kryesorë në rritjen e aktivitetit portual. Gjatë janar-shtatorit 2026 janë përpunuar 1.932.873 tonë mallra, rreth 24% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Brenda këtij segmenti, importet me konteinerë janë rritur me afro 9%, ndërsa eksportet mbi 65%, duke reflektuar zgjerimin e ndjeshëm të eksportit vendas përmes transportit të konteinerizuar. Në treguesit e volumit të konteinerëve, periudha janar-shtator 2026, u mbyll me 199.851 TEU të përpunuara, rreth 18% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm gjatë muajit shtator u përpunuan 19.834 TEU, duke dëshmuar vijimësinë e aktivitetit në këtë segment të transportit detar të mallrave. 

Ndërsa, transporti i udhëtarëve dhe mjeteve me tragete, gjatë këtij nëntëmujori janë regjistruar  në total 644.184 pasagjerë dhe 235.873 mjete. Krahasuar me janar-shtatorin 2025, të dy treguesit kanë regjistruar një rënie të lehtë. Treguesit e nëntë muajve të vitit 2026 pasqyrojnë një performancë pozitive të aktivitetit portual, ku rritja e eksporteve dhe konsolidimi i vazhdueshëm i transportit të konteinerizuar kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në ecurinë e përgjithshme të përpunimit të mallrave. Kjo ecuri evidenton rëndësinë e Portit të Durrësit në përballimin e flukseve tregtare si  katalizator thelbësor në zinxhirin e  furnizimit dhe ndërlidhjen e ekonomisë shqiptare me tregjet rajonale e ndërkombëtare.