Një hap i ri në bashkëpunimin Shqipëri–Itali për zhvillimin e kapaciteteve profesionale portuale

18.09.2026

Në Xhenova të Italisë u inaugurua selia e re e Akademisë Italiane të Marinës Tregtare (Accademia Italiana della Marina Mercantile), një hapësirë e re e rëndësishme për zhvillimin e trajnimeve dhe formimit profesional në sektorin detar e portual.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kreu i Autoritetit Portual Durrës, z. Liburn Aliu, i cili zhvilloi një takim me Presidentin e Akademisë Italiane të Marinës Tregtare, z. Eugenio Massolo. Në kuadër të këtij takimi u nënshkrua edhe Memorandumi i Bashkëpunimit, i cili hap mundësi të reja për zhvillimin profesional të stafit dhe rritjen e kapaciteteve të Autoritetit Portual Durrës.

Për APD-në, ky bashkëpunim krijon mundësi konkrete për trajnime të specializuara me profil portual, shkëmbim eksperiencash dhe njohurish, si dhe njohje me praktikat dhe standardet më të avancuara të menaxhimit dhe operimit portual.

Përmes këtij bashkëpunimi, stafi i Autoritetit Portual Durrës do të ketë akses në programe profesionale, ekspertizë dhe përvoja ndërkombëtare, duke kontribuar në rritjen e mëtejshme të cilësisë së shërbimeve dhe standardeve të punës në Portin e Durrësit.

Një rol të rëndësishëm në këtë proces do të ketë edhe CEMES, si urë lidhëse për zhvillimin e programeve të trajnimit, shkëmbimin e eksperiencave dhe transferimin e praktikave më të mira italiane në Shqipëri.

Ky Memorandum është një mundësi konkrete për investim në kapitalin njerëzor dhe profesionalizimin e mëtejshëm të sektorit portual shqiptar, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin institucional mes Shqipërisë dhe Italisë.

 Më shumë dije, më shumë ekspertizë, më shumë standarde europiane për profesionistët e porteve.