Performanca tregtare e Portit të Durrësit në 8 muaj 

24 shtator 2026 

Gjatë tetë muajve të vitit 2026, aktiviteti portual në Portin e Durrësit ka shënuar rritje në volumin e përgjithshëm të mallrave të përpunuara, ndërsa sektori i konteinerëve ka vijuar me rritje të volumit dhe numrit të njësive të trajtuara. 

Në periudhën janar-gusht 2026, në Portin e Durrësit janë akostuar 1,432 mjete lundruese, nëpërmjet të cilave janë përpunuar 2,783,036 tonë mallra, duke shënuar një rritje prej 6.13%krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. 

Eksportet gjatë kësaj periudhe arritën në 852,951 tonë, ose  40%më shumë krahasuar me tetëmujorin e vitit 2025. Importet arritën në 1,930,084 tonë, duke shënuar rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e eksporteve dhe e aktivitetit të sektorit të konteinerëve kanë ndikuar në rritjen e volumit të përgjithshëm të mallrave të përpunuara. 

Në sektorin e konteinerëve, gjatë janar-gushtit janë përpunuar 1,742,526 tonë mallra, rreth 25% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Importet me konteinerë janë rritur me 11%, ndërsa eksportet me konteinerë me 67%. 

Sa i përket njësive të konteinerëve, gjatë tetëmujorit janë përpunuar 180,017 TEU, ose 20% më shumë krahasuar me janar–gushtin e vitit 2025. Vetëm gjatë muajit gusht janë trajtuar 22,955 TEU. 

Në sektorin e trageteve janë realizuar 712 lundrime, përmes të cilave janë përpunuar 581,871 pasagjerë dhe 212,066 mjete. Krahasuar me periudhën janar-gusht 2025, të dy treguesit kanë shënuar një rënie të lehtë. 

Të dhënat e tetëmujorit të parë të vitit 2026 tregojnë një rritje të volumit të përgjithshëm të mallrave të përpunuara në Portin e Durrësit, e shoqëruar me rritje të eksporteve dhe të aktivitetit të sektorit të konteinerëve.