Porti i Durrësit organizon aktivitetin për Ditën Ndërkombëtare të Detarisë 

Më 25 shtator 2025, nga ora 09:00 deri në 13:00, Autoriteti Portual Durrës do të zhvillojë aktivitetin tradicional në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Detarisë, në ambientet e Terminalit të Trageteve (krahu në dalje). 

Ky aktivitet, i kthyer tashmë në një traditë të përvitshme, mbledh së bashku partnerë institucionalë, përfaqësues të biznesit, komunitetin akademik, studentë dhe miq të sektorit detar. Qëllimi është të nxjerrë në pah rëndësinë e detarisë jo vetëm si motor i ekonomisë, por edhe si pjesë e identitetit dhe kulturës sonë kombëtare. 

Programi i Ditës do të përfshijë ekspozita tematike, panele diskutimi dhe prezantime, duke sjellë në vëmendje projektet madhore që po transformojnë portin, si: 

  • Porti i ri tregtar në Porto Romano, që pritet të shndërrohet në një nyje logjistike me ndikim rajonal; 
  • Marina e Jahteve në Durrës, e cila me progresin e deritanishëm premton një transformim të plotë të ballinës ujore dhe të ofertës turistike të qytetit. 

Një vend të veçantë në këtë ditë do të kenë të rinjtë, si forca lëvizëse e së ardhmes. Përmes Qendrës së Ekselencës për Çështje Detare, Autoriteti Portual Durrës do të shpallë programe të reja praktike për studentët, duke krijuar mundësi konkrete për t’u përfshirë në sektorin detar dhe për të fituar eksperienca reale në administratën portuale dhe terren. 

Ky aktivitet do të shërbejë si një platformë bashkëpunimi dhe dialogu, duke bërë bashkë institucionet, biznesin dhe komunitetin akademik në vizionin për një industri detare më të qëndrueshme, më konkurruese dhe më premtuese për të ardhmen

Personi i kontaktit për median: [email protected]