Porti i Durrësit, vijon normalisht përpunimi i anijeve

13 nëntor 2026

Aktiviteti operacional në Portin e Durrësit vijon normalisht, si në terminalet tregtare, ashtu edhe në Terminalin e Trageteve.

Në terminalet tregtare po kryhet përpunimi i katër anijeve: “JAOHAR RANIN”, në Terminalin Perëndimor; “SC MEMPHIS”, në Terminalin e Konteinerëve; si dhe “NS THOR” dhe “ALESIA”, në Terminalin Lindor.

Ndërkohë, rimorkiatori “Tinza” qëndron në kalatën 5 për shkak të kushteve atmosferike.

Sa i përket lëvizjes së trageteve, trageti “RIGEL VII” është nisur nga Durrësi në orën 09:05. Tragetet “RIGEL III” dhe “AF MARINA”, të cilat pritet të mbërrijnë gjatë ditës së sotme, janë nisur nga Bari në orët e mëngjesit. Ndërsa trageti “AF CLAUDIA”, në linjën Ankona–Durrës, pritet të mbërrijë sipas orarit të parashikuar.

Sipas raportimit operacional, kushtet e motit në zonën portuale paraqiten aktualisht të qëndrueshme, me shpejtësi të erës deri në 12 m/s. Këto kushte parashikohet të vijojnë edhe gjatë orëve në vazhdim.

Autoriteti Portual Durrës vijon monitorimin e situatës dhe do të informojë mbi çdo ndryshim të mundshëm në aktivitetin portual.