Pas plot 50 vitesh punë të pandërprerë, Dashamir Sharra përmbyll me dinjitet shërbimin aktiv në Portin e Durrësit, duke lënë pas një karrierë të gjatë dhe të respektuar, e cila përmbledh jo vetëm historinë e tij personale, por edhe një pjesë të rëndësishme të historisë së vetë portit.
Ai e nisi rrugëtimin e tij në vitin 1976, si punëtor ngarkim-shkarkimi, në një kohë kur sfidat fizike dhe dinamika e përditshme kërkonin jo vetëm forcë, por edhe përkushtim të palëkundur. Për 8 vite, Dashamiri i përballoi ato sfida me ndershmëri dhe korrektesë.
Në vitin 1985, vendosi të thellojë aftësitë e tij profesionale, duke ndjekur një kurs për elektrovincier. Që prej vitit 1986, deri në ditën e fundit të punës, ai nuk e ka ndarë asnjë ditë kabinën e vinçit, duke qenë gjithmonë i saktë, i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm në një nga detyrat më të ndjeshme të përpunimit të mallrave.
“Kam arritur të punoj edhe 16 orë pa ndërprerje, turnin e parë dhe të dytin, por gjithmonë kam qenë korrekt dhe gjatë gjithë karrierës sime nuk kam pasur asnjë incident, as për vete, as për kolegët e mi,” – shprehet ai me krenari .
Dashamiri ka qenë dëshmitar i shumë prej transformimeve që ka kaluar porti ndër vite. Ai kujton me qartësi sfidat e periudhës pas viteve ‘90, por vlerëson gjithashtu përmirësimet e ndjeshme që pasuan.
“Kur u ndërtuan kalatat e reja, gjithçka shkoi në vendin e vet, kushtet e punës u përmirësuan dhe u forcua siguria teknike,” – shprehet ai me mirënjohje.
Për të, porti ka qenë më shumë se një vend pune, ka qenë jeta e tij. E tregon me emocione marrëdhënien e veçantë me kolegët dhe ndjenjën e përkatësisë që e ka shoqëruar për gjysmë shekulli.
“Jam i nderuar që kam qenë pjesë e Portit të Durrësit për të gjithë jetën time. Kam kaluar shumë mirë me kolegët. Për mua, këto 50 vite kanë qenë vite të mira.”
Në një ceremoni simbolike, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, z. Kreshnik Bajraktari, i dorëzoi z. Sharra një Certifikatë Mirënjohjeje, si shenjë vlerësimi për kontributin e jashtëzakonshëm dhe besnikërinë ndaj institucionit.
Mirënjohje dhe pension të mbarë!



