Fundi i muajit Maj ishte i vështirë për Bardhën, e cila nën ngashërima të fshehura hera herës, shoqëroheshin me emocione të forta, të ndara kryesisht me kolegen e zyrës së saj të gati 2 dekadave, Renatën. Data 30 maj, mbylli ciklin profesional të koleges sonë, Fatbardha Mollsi, e cila për 16 vite me radhë dha kontributin e saj të vyer si specialiste pranë Njësisë së Auditit në Autoritetin Portual Durrës. 34 vite rrugëtim profesional për znj.Mollsi, më domethënësit ishin pranë APD-së, ku me qetësinë dhe profesionalizmin e saj, herë këshilloi, e herë “kritikoi” punën e kolegëve të saj, por me qëllimin final, atë të ruajtjes së profesionalizmit dhe korrektësisë së dokumentacioneve që hartohen në kompaninë tonë.
Kolegia e saj, Renata, nuk reshti së treguari familjaritetin me kolegen e saj edhe në ditën e fundit në zyrë, duke i dhuruar emocione të forta me detaje, dhe elemente dashamirëse, mes dy kolegesh që nuk i lidhi vetëm profesioni.
Stafi i APD-së i uron pension të mbarë znj. Mollsi dhe e falenderon për punën e palodhur të 16 viteve!
PROFILI PROFESIONAL I ZNJ. FATBARDHA MOLLSI
Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Ekonomisë Për Financë Kontabilitet, eksperienca e parë nisi si Revizore në Kontrollin e Brendshëm në Ndërmarrjen e Ushqimit social Elbasan, duke vijuar më pas në vitin 1994 si kryellogaritare në Ndërmarrjen e shpërndarjes së karburantit në Elbasan. Më pas në vitet 1994 – 2005 si shefe finance dhe Drejtore ekonomike pranë Uzinës Mekanike (Metalurgji), Elbasan. Kjo ndërmarrje ishte një nga 3 më të mëdhatë në Ballkan dhe ku ishin rreth 5000 punonjës.
Me mbrojtjen e licencës si kontabilist i merituar dhe marrjen e Titullit si Audituese e Brendshme e Kontrolleve në Ndërmarrjet Publike, u bëra pjesë e konkursit për Auditues pranë portit të Durrës nga ku u shpalla fituese dhe në vitin 2006 u punësova si audituese e brendshme pranë Autoritetit Portual Durrës,deri në Maj të vitit 2022 ku dola edhe në pension.
“Puna në Portin e Durrësit, është një ndër eksperiancat e mija e më të veçanta të punës në 34 vite. Porti përfaqësonte një ndër subjektet më të rëndësishme, krahasuar me ndërmarrjet ku kisha punuar më parë. Në punë jam treguar gjithnjë korrekte dhe e paanshme në kryerjen e detyrës time si audituese, të cilën e përcakton edhe ligji i auditit. Fakti që vija edhe nga Tirana, e bënte akoma më solid qëndrimin tim në ambientin e punës. Jam ndjerë e vlerësuar, kam punuar me njerëz të respektuar duke nisur nga drejtuesit e deri tek specialistët. Puna në port ka patur edhe sfidat e veta, si vendosja e programeve të IT-së, por falë bashkëpunimit me stafin e financës por edhe me personelin në tërësi, bëmë të mundur që rezultati i punës të ishte i mirë dhe t’i shërbente portit. Kemi shkëmbyer eksperienca për një menaxhim më të mirë të portit më të madh të vendit.
Drejtuesit ndër vite e kanë vlerësuar dhe mirëpritur Auditin me idetë dhe materialet që i përcillnim si drejtori, të cilat mënjanonin keqbërjet e fondeve dhe shpenzimeve. Auditi është rekomandues në vetvete që brendësia e punës të jetë me e lehtë, sepse bazohet në ligj dhe kjo e bënte akoma më të lehtë punën me rekomandime të auditit.
➢ Mesazhe për të rinjtë
“Çelësi i suksesit për një eksperiencë të gjatë pune është t’a dashurosh punën. Të gjithë e kemi nisur nga diku, edhe unë eksperiencën time të gjatë e kam nisur që nga prerja e faturës së parë”- shprehet Fatbardha.
Eksperienca kohë pas kohe, korrektësia në punë, ndëshkimi i së keqes, përkushtimi në punë dhe mbi të gjitha merita e vendit të punës janë disa nga mesazhet që i dërgoj të rinjve që të ecin përpara dhe të duan vendin e punës në të cilin punojnë.
Nuk është tituli ai që të bën dikush, por puna e përditshme, korrektësia e përkushtimi e më pas, vlerësimi i saj nga kolegët dhe drejtuesit.
Në portin e Durrësit ruaj ndjesitë më të pashlyera dhe kujtimet më të bukura të jetës, shprehet Fatbardha e emocionuar, si me personelin e lartë por edhe me të gjithë kolegët ndër vite për të cilët ruaj një konsideratë të veçantë për atë plejadë njerëzish me të cilët kam bashkëpunuar në 16 vite të jetës time…