𝐅𝐥𝐨𝐭𝐚 𝐞 𝐩𝐞𝐬𝐡𝐤𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐝𝐞𝐭𝐚𝐫 𝐢𝐧𝐝𝐮𝐬𝐭𝐫𝐢𝐚𝐥 𝐭𝐞̈ 𝐃𝐮𝐫𝐫𝐞̈𝐬𝐢𝐭, “𝐬𝐭𝐫𝐞𝐡𝐚” 𝐞 𝐫𝐫𝐞𝐭𝐡 𝟏𝟎𝟎 𝐦𝐨𝐭𝐨𝐩𝐞𝐬𝐡𝐤𝐚𝐭𝐨𝐫𝐞𝐯𝐞

Porti i ri i peshkimit në Durrës, më i madhi në Shqipëri, është ndërtuar në vitin 2015 pranë portit më të madh të vendit.

Ky port, administrohet nga Organizata e Menaxhimit të Peshkimit. Më parë, për disa dekada radhazi, anijet e peshkimit akostoheshin në dy ura prej betoni, pranë kalatës 9 të portit të Durrësit.

Në portin e ri, me një sipërfaqe mbi 13 ha aktualisht janë “strehuar” rreth 100 motopeshkatore, të cilat përbëjnë flotën e peshkimit detar industrial të Durrësit. Ndërtimi i portit të peshkimit u realizua  me financimin e Bankës Islamike, prej 12 milion euro.  Pas kësaj, motopeshkatoret e sektorit të Durrësit u sistemuan përfundimisht jashtë portit tregtar.   

Flota shqiptare e peshkimit përfshin 584 anije (sipas të dhënave të vitit 2014) dhe është e përqendruar në katër porte: Durrës, Vlorë, Shëngjin dhe Sarandë. Prodhimi vjetor i peshkut të kapur arrin në rreth 3 mijë ton, ku peshkimi detar përbën rreth 70 % të totalit dhe pjesa tjetër vinte nga peshkimi në ujërat e brendshëm.