Forca e Sigurisë Portuale Durrës, mbahet analiza vjetore për vitin 2023/ 7 shkurt 2024

                                                                              

Forca e Sigurisë Portuale është një komponent i rëndësishëm jo vetëm në garantimin e një mjedisi të sigurt në hapësirat portuale, por edhe në performancën e përgjithshme të Autoritetit Portual të Durrësit. Në këtë kontekst u zhvillua ditën e djeshme, në praninë e kreut të APD-së, z. Pirro Vengu si dhe drejtuesve të saj më të lartë, bilanci vjetor për vitin 2023.

Në referimin e mbajtur nga Drejtori i Sigurisë, z. Alfred Velaj si dhe nga drejtuesit e strukturave organike të kësaj Force, u nënvizuan disa nga objektivat e realizuara me sukses përgjatë vitit të kaluar, ndërkohë që u ndalën gjithashtu edhe në problematikat e evidentuara gjatë veprimtarisë së përditshme të efektivit të sigurisë portuale.

Gjatë vitit që lamë pas, në territorin e portit punonjësit janë përballur me incidente të natyrave të ndryshme, si hyrje të paautorizuara, tentativa të paligjshme për kalimin e kufirit, cënim i perimetrit të sigurisë, dëmtim infrastrukture etj. 

Kreu i APD-së, z. Vengu vlerësoi impenjimin dhe seriozitetin e treguar nga efektivi i sigurisë përgjatë vitit që lamë pas në implementimin e planeve të masave të sigurisë, duke ritheksuar angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj kësaj strukture për rritjen e mëtejshme të kapaciteteve profesionale me qëllim konsolidimin e forcës vepruese dhe parandaluese ndaj veprimtarive që cënojnë standardet e sigurisë në hapësirat e portit më të madh në vend.