Forcim i bashkëpunimit mes Autoritetit Portual Durrës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave 

12.12.2025 

Në vijim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar më herët mes Autoritetit Portual Durrës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ditën e djeshme u zhvillua një takim pune mes Drejtorit të Përgjithshëm të APD, z. Liburn Aliu, dhe Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Doganave, z. Pajtim Melani. 

Takimi u fokusua në thellimin e modernizimit të shërbimeve doganore dhe digjitalizimin të proceseve të menaxhimit të ngarkesave detare, përmes zbatimit të platformës ASYHUB. 

Platforma ASYHUB përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit digjital të të dhënave të transportit dhe tregtisë detare, duke mundësuar shkëmbim automatik, të sigurt dhe në kohë reale të informacionit ndërmjet sistemeve të Portit dhe Doganës. Kjo iniciativë mbështet rritjen e transparencës, efikasitetit dhe sigurisë në trajtimin e ngarkesave. 

Forcimi i këtij bashkëpunimi është në linjë me praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e menaxhimit të riskut dhe sigurisë, duke kontribuar në rritjen e performancës operacionale të Portit të Durrësit.