Gjatë kësaj fundjave në kalatat e portit të Durrësit pritet ankorimi i 6 anijeve tregtare, një nga të cilat ndodhet tashmë në radën portuale. Bie në sy mbërritja e anijes “Madrid Trader” në kalatën 5, e cila do të shkarkojë 19.978 ton lidhje hekuri, porosi e kompanisë “Kurum”.
Aktualisht në kalatë ka përfunduar shkarkimi i anijes “Frosina” me 2984 ton çimento, ndërsa vijon përpunimi i anijes “Gudma 4” me 2150 ton kripë dhe anijes “Frojdi II” me 765 ton paleta ushqimore.
Sipas burimeve të Dispeçerisë portuale, të premten dhe të shtunën pritet të mbërrijnë në port 5 anije, të cilat do të shkarkojnë grurë, hekur, vaj ushqimor dhe konteinerë.
Të premten priten anijet “Ecem Kalkavan” dhe “Azov” me përkatësisht 149 konteinerë dhe 2348 ton vaj ushqimor, ndërsa të shtunën bashkë me anijen “Madrid Trader”, pritet të ankorohen anijet “Sovyetskaja Rodina” dhe “Neva Leader” me 3058 ton dhe 5000 ton grurë.
Në radën portuale aktualisht pret të përpunohet anija “Martha” me 2500 ton çimento.
Gjatë vitit të kaluar në portin më të madh të vendit u përpunuan afro 3.5 milion ton mallra të ndryshme.