Realizuesit e projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik TAP vazhdojnë interesimin për portin e Durrësit, si një mundësi konkrete për transportin e materialeve dhe pajisjeve të ndërtimit nëpërmjet tij. Sot në mesditë një përfaqësi e zgjeruar e këtij Projekti zhvilloi një takim në Drejtorinë e përgjithshme ekzekutive të Autoritetit portual.
Drejtori i përgjithshëm, Gazmend Shalsi në përgjigje të interesimit të specialistëve të TAP bëri një ekspoze të kapaciteteve portuale në përpunimin e mallrave të ndryshme, dhe veçanërisht të situatës në Terminalin Perëndimor, që menaxhohet nga APD.
Grupi prej 7 specialistësh të TAP që kryesohej nga drejtori i projektit Norman Ingram, u interesua më pas për gjëndjen e kalatave, sheshet pas tyre, thellësitë ujore pranë kalatave, tipet e anijeve që akomodohen, elektrovinçave dhe të pajisjeve ngritëse, etj. Mikpritësit sqaruan në mënyrë të detajuar edhe lidhjet e Portit të Durrësit me autostradat kryesore të vendit dhe kushtet e sigurisë portuale, ndërsa bënë të njohur idenë e rishikimit të tarifave në kushtet e rëndësisë që ka projekti TAP për Shqipërinë.
Më pas specialistët e TAP të shoqëruar nga drejtuesit e APD vizituan Terminalin perëndimor në kalatat 4 dhe 5.
Grupet e specialistëve të APD dhe TAP ranë dakord të vazhdojnë kontaktet dhe bashkëpunimin paraprak për hartimin e një Memorandumi dypalësh.
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt për zhvillimin e një tubacioni që do të transportojë gaz natyror nga rajoni Kaspik në drejtim të Evropës. TAP pas lidhjes me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin Turko-Grek, do të përshkojë Greqinë e Veriut, Shqipërinë, Detin Adriatik e më pas do të dalë edhe një herë në tokë në Italinë Jugore për t’u lidhur me rrjetin italian të gazit natyror.