Impakti i pandemisë në sektorin e udhëtarëve në Portin e Durrësit gjatë vitit 2020-të/ 02 Shkurt 2021

768 lundrime vajtje-ardhje gjithsej, ose 284 lundrime më pak se sa në vitin 2019

Tragetet e linjave Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona e kthim, gjatë vitit 2020-të kanë kryer 768 lundrime vajtje-ardhje gjithsej, ose 284 lundrime më pak se sa në vitin 2019.

Muajt e gjatë të pandemisë nga Covid-19 dhe vendimet e herëpasherëshme të qeverive të vendeve të Europës për kufizimin e lëvizjeve të udhëtarëve kanë shkaktuar edhe rënien e numrit të pasagjerëve si dhe të mallrave me tragete.

Sipas të dhënave statistikore nga APD, gjatë vitit që sapo u mbyll, nga kamionët dhe trailerët që u transportuan me tragete drejt porteve të Italisë dhe anasjelltas, janë përpunuar afro 791 mijë tonë mallra të ndryshëm gjithsej, ose vetëm 86 % e vitit të kaluar.

Tragetet kanë transportuar 67,219 kamionë dhe trailerë gjatë vitit 2020-të, ndërsa numri i udhëtarëve ka ndalur në shifrën 311,302.

Gjatë vitit të kaluar e në vazhdim, në Terminalin e Trageteve janë zbatuar masat standarde sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në kushtet e kufizimeve dhe kontrolleve për parandalimin e Covid 19.