Gjatë muajit janar të këtij viti tragetet e linjave të Durrësit që lundrojnë drejt Barit, Ankonës dhe Triestes (Itali) janë shfrytëzuar nga 63.818 udhëtarë me 13.084 autovetura, shifra përkatësisht 13 dhe 25 përqind më të larta se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar.
Nga të dhënat e sektorit të Statistikave, mësohet se gjatë janarit 2016 tragetet kanë kryer 86 lundrime, 5 më shumë se në janar të vitit të kaluar.
Numri i udhëtarëve në hyrje dhe në dalje të portit më të madh të vendit ka qenë përkatësisht 14 dhe 12 përqind më i lartë se sa një vit më parë. Nga Durrësi janë nisur me tragete 45.763 udhëtarë, ose 2.5 herë më shumë se sa numri i udhëtarëve në hyrje. Në pjesën e parë të muajit janar, tragetet janë shfrytëzuar gjërësisht për kthimin në vendet e Evropës nga bashkëatdhëtarët që kaluan pushimet e fundvitit në vendin tonë, në Kosovë dhe Maqedoni.
Numri i udhëtarëve shqiptarë dhe të huaj që kanë preferuar tragetet në janar të këtij viti është rritur me 14 dhe 5 përqind në krahasim me janarin e vitit të kaluar.
I vetmi tregues në rënie për janarin e vitit 2016 ka qenë transporti i mallrave me tragete, i cili ka shënuar një rënie prej 4 përqind në krahasim me janarin 2015.