Tragetet e linjave Durrës – Bari, Durrës – Ankona dhe Durrës – Trieste e kthim gjatë periudhës janar – gusht të këtij viti kanë transportuar mesatarisht 2,654 udhëtarë në ditë. Sipas të dhënave nga Sektori i Statistikave në Autoritetin Portual, brenda një dite tragetet që vijnë apo nisen nga Durrësi janë frekuentuar nga një numër mesatar prej 2,654 udhëtarësh dhe 771 automjetesh, si autovetura, kamjonë dhe trajlerë.
Periudha me numrin më të madh të udhëtarëve dhe automjeteve që shfrytëzuan tragetet ishte 2-mujori korrik – gusht i këtij viti, kur anijet e udhëtarëve janë frekuentuar vajtje-ardhje nga 8 – 9 mijë vetë në ditë. Tragetet kanë kryer gjithsej 722 lundrime vajtje – ardhje gjatë periudhës 8-mujore, ose mesatarisht 3 lundrime në ditë, duke transportuar gjithashtu një shifër mesatare prej 2,460 ton mallra/ditë.