Janar-prill 2017: ja tabela e përpunimit të mallrave sipas Terminaleve

Gjatë periudhës janar-prill të këtij viti në Terminalin e Kontejnerëve është përpunuar pjesa më e madhe e madhe e mallrave që kanë mbërritur ose janë nisur me anije dhe tragete në portin e Durrësit. Anijet dhe tragetet në këto katër muaj kanë transportuar afro 1 milion e 144 mijë ton mallra gjithsej.

Sipas të dhënave nga Sektori i Statistikave në APD, në Terminalin e Kontejnerëve është përpunuar 38.25 përqind e të gjithë volumit të mallrave të përpunuar gjatë periudhës 4-mujore në të gjithë kalatat e portit më të madh të vendit.

22.8 përqind të tjera janë përpunuar në Terminalin e Trageteve; 21.81 përqind në Terminalin Lindor dhe pjesa tjetër, 17.13 përqind në Terminalin e Mallrave Gjenerale, siç njihet Terminali Perëndimor.

Nga të dhënat statistikore mësohet gjithashtu se Terminali i Kontejnerëve kryeson edhe në volumet e eksporteve dhe importeve të përpunuar, përkatësisht me 49.49 % dhe 31.30 % të vëllimit të përgjithshëm të mallrave të përpunuara në të katër Terminalet portuale të Durrësit.

Në vendin e dytë për eksportet renditet Terminali Lindor me 28.06 %, ndërsa për importet e përpunuar në të njejtin vend renditet Terminali Perëndimor me 27.73 %.

Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në APD, në katër muajt e parë të këtij viti, afro 437 mijë ton mallra të përpunuara i përkasin eksporteve. Gjatë së njejtës periudhë, importet kanë arritur në vëllimin e përpunuar prej 706.549 mijë ton.