Janar – qershor 2015: Përpunohen 247 anije dhe 440 tragete, 3 përqind më pak mallra

Në 6-mujorin e parë të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar mbi 1 milion e 750 mijë ton mallra të ndryshme, ose afro 63 mijë ton më pak se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar. Gjatë periudhës janar-qershor 2015 janë përpunuar 247 anije tregtare dhe 440 tragete gjithsej.

Sipas burimeve statistikore të APD, tragetet kanë transportuar 3 përqind më shumë mallra krahasuar me 6 muajt e parë të vitit 2014, ndërsa anijet 5 përqind më pak.

Eksportet dhe importet janë realizuar përkatësisht 3 dhe 4 përqind më pak se sa në të njejtën periudhë të vitit paraardhës.

Numri i përgjithshëm i kontejnerëve (njësi kontejnerike – TEU) të përpunuar është thuajse i njejtë me shifrat e vitit të kaluar dhe arrin në 51.451 njësi. Llamarinat prokate, çimento rifuzo dhe çimento me thasë paleta mbeten ndër mallrat e para në listën e eksporteve në këto 6 muaj, ndërsa qymyri koks, skrapi dhe plehrat bujqësore kanë shifrat më të larta të importeve.