Janar – qershor 2017: Tragetet, më shumë mallra dhe udhëtarë se në 6 muaj 2016

Gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona – Trieste e kthim kanë transportuar më shumë mallra dhe më shumë udhëtarë se sa në të njejtën periudhë të vitit 2016.

Tragetet janë shfrytëzuar nga afro 275 mijë udhëtarë shqiptarë dhe të huaj, një shifër 2 përqind më e lartë se sa 6-mujori i parë i vitit të kaluar – bën me dije Sektori i Statistikave të APD.

Tragetet kanë transportuar afro 406.5 mijë ton mallra, ose 6 përqind më shumë se sa në 6 muajt e parë të vitit 2016.

Megjithëse tragetet kanë kryer 42 lundrime më pak se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar, shifrat e transportit të mallrave në 6 muajt e parë të vitit 2017 janë 5 përqind më të larta për eksportet dhe 7 përqind më të larta për importet, krahasuar me ato të periudhës janar – qershor 2016.