Janar-shtator 2016: Mbi 703 mijë udhëtarë dhe 557 mijë ton mallra me tragete

Mbi 703 mijë udhëtarë shqiptarë dhe të huaj kanë shfrytëzuar tragetet në Durrës që nga fillimi i këtij viti, duke shënuar një rritje prej 11 përqind krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2015.

Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD mësohet se edhe gjatë muajit shtator të këtij viti numri i udhëtarëve ka qenë më i lartë se sa ai i shtatorit të vitit të kaluar. Muajin e kaluar tragetet janë shfrytëzuar nga 77.695 udhëtarë, me një rritje prej 4 përqind, ndërsa janë shënuar rritje prej 12 dhe 9 përqind edhe në transportin e autoveturave dhe kamjonëve me tragete.

Në 9-mujorin janar-shtator vihet re një numër thuajse i njejtë udhëtarësh në hyrje dhe në dalje të portit të Durrësit. Në shifrat e kësaj periudhe dallohet një rritje prej 18 përqind e udhëtarëve të huaj, me shifrën e përgjithëshme prej mbi 165 mijë udhëtarë. Numri i udhëtarëve që kanë zgjedhur tragetet për të mbërritur në Durrës ka pësuar një rritje prej 18 përqind, ndërsa numri i të huajve me destinacion qytetin tonë bregdetar është 24 përqind më i lartë se sa një vit më parë.

Tragetet që lundrojnë në destinacionet e Barit, Ankonës dhe Triestes kanë kryer 799 rejse, vetëm 8 më shumë se sa ato të 9-mujorit 2015, ndërsa të dhënat e këtij viti nga tragetet janë 4-24 përqind më të larta se sa ato të së njejtës periudhë të vitit të kaluar.

Në periudhën janar-shtator tragetet kanë transportuar gjithashtu 557 mijë ton mallra, ose 2 përqind më shumë se një vit më parë.