Një në çdo afro 5 udhëtarë që kanë shfrytëzuar tragetet nga porti i Durrësit në periudhën janar-shtator të këtij viti ka udhëtuar bashkë me autoveturën e tij. Të dhënat vijnë nga sektori i Statistikave në APD, sipas të cilave gjatë 9 muajve të parë të vitit në vazhdim çdo ditë kanë lundruar mesatarisht me tragete rreth 2723 udhëtarë me 574 autovetura. Shifrat janë më të larta se sa ato të së njejtës periudhë të vitit 2016. Ndërkaq, tragetet janë shfrytëzuar mesatarisht çdo ditë edhe nga 198 kamjonë dhe trajlerë që transportojnë mallra të ndryshme eksporti dhe importi.
Gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona – Trieste e kthim kanë kryer 766 lundrime gjithsej, 33 më pak se në janar-shtatorin e kaluar. Tragetet janë shfrytëzuar nga 743.385 udhëtarë shqiptarë dhe të huaj gjithsej, një shifër 6 përqind më e lartë se sa 9-mujori i parë i vitit të kaluar – bën me dije Sektori i Statistikave të APD. Në të njejtën periudhë tragetet kanë transportuar 156.599 autovetura, ose 8 përqind më shumë se sa në 9-mujorin e parë të vitit 2016.