Kreu i Portit të Igumenicës vizitë në Portin e Durrësit, në fokus forcimi i bashkëpunimit tregtar/ 8 maj 2023

Kreu Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, z. Pirro Vengu, priti në një takim dypalësh delegacionin grek të kryesuar nga kreu i Autoritetit Portual të Igumenicës, z. Athanasios Porfiris.

Pas një pasqyrimi mbi performancën dhe kapacitetet që ofron Porti i Durrësit në infrastrukturën aktuale, kreu i APD-së, e njohu delegacionin e vendit fqinj me investimet  dhe projektet ambicioze të  qeverisë shqiptare në drejtim të infrastrukturës portuale dhe zhvillimit të marinës turistike në Durrës.

Z. Vengu i’u përgjigj interesit të palës greke mbi thellimin e bashkëpunimit tregtar, veçanërisht në aspektin e transportit të pasagjerëve dhe krocierave mes dy vendeve. Në këtë konteskt, palët ranë dakord që të dyja portet të intensifikojnë bashkëpunimin në kuadër të programeve europiane të dedikuara për hapësirën Adriatiko-Joniane, në veçanti për sa i përket tranzicionit të gjelbër të infrastrukturave portuale dhe rritjes së inovacionit.

Në këtë vizitë, kreu i Portit të Igumenicës z. Porfiris shoqërohej nga anëtarë të bordit drejtues dhe atij ekzekutiv të Autoritetit Portual të Igumenicës.