Sot në mëngjes në kalatën 5 të portit të Durrësit u ankorua kroçera
“Braemar” me 822 turistë nga 17 vende të ndryshme të botës. Kjo është anija e 10-të turistike që viziton Durrësin, duke e çuar numrin e përgjithshëm të turistëve me kroçera gjatë këtij viti në mbi 6 mijë.
Nën kujdesin e Autoritetit portual, pjesa më e madhe e tyre u nisën të organizuar me autobuzë drejt qyteteve historike të Krujës dhe Beratit, ndërsa shumë të tjerë preferuan të vizitojnë Tiranën dhe Durrësin. 790 nga turistët janë britanikë të moshave të ndryshme, të interesuar për tu njohur me historinë dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.
Anija turistike “Braemar” vjen për herë të parë në portin e Durrësit. Ajo mbërriti nga porti i Barit (Itali) dhe sot rreth orës 16.30 do të lundrojë nga Durrësi drejt ishujve të Cefalonisë (Greqi). Anija ka një gjatësi 196 metra dhe mban flamurin e ishujve Bahamas.
Gjatë muajit tetor në portin e Durrësit priten edhe 4 kroçera të tjera.