Sot në orët e para të mëngjesit në kalatat 4 dhe 5 të portit të Durrësit u ankoruan kroçera “Sirena” dhe veliera “Sea Cloud”. Dy anijet turistike janë ankoruar disa herë në portin më të madh të vendit.
Kroçera “Sirena” me flamur të ishujve Marshall ka një gjatësi prej 181 metra dhe u ankorua në kalatën 5. Në bordin e saj udhëtojnë 641 turistë, 343 nga të cilët nga SHBA. Pjesa tjetër vijnë nga 24 vende të tjera të botës, kryesisht nga Zelanda e Re, Australia, Britania e Madhe, etj. Më shumë se 10 autobuzë të agjencive turistike i kanë shoqëruar turistët nga porti drejt qyteteve historike dhe muzeale të Krujës, Beratit dhe Durrësit.
Nga të dhënat e Qendrës së Informacionit, kroçera “Sirena” ka lundruar gjatë natës nga Korfuzi (Greqi) drejt Durrësit, ndërsa sot rreth orës 19.00 do të vijojë turin drejt portit të Kotorrit (Mali i Zi).
Veliera “Sea Cloud”, e cila do të mbërrijë edhe pas 10 ditësh në Durrës u ankorua sot në kalatën 4. Ajo ka një numër turistësh prej rreth 60 vetë. Anija me gjatësi 109 metra ka mbërritur në Durrës nga Saranda dhe në mbrëmje do të lundrojë drejt Kotorrit.