Kroçera “Sirena” me 666 turistë të huaj nga 18 vende të botës mbërriti sot në orët e para të mëngjesit në portin e Durrësit. Megjithë mjegullën e pazakontë në basenin portual, anija turistike u akostua pa probleme në kalatën 5.
Sipas të dhënave nga agjencia Intermed Shipping, pjesa më e madhe e turistëve, 471 gjithsej, vijnë nga SHBA, 52 nga Britania e Madhe, 46 nga Kanadaja dhe 37 nga Hong Kongu. Pjesa tjetër e turistëve, më të pakët në numër, janë nga Austria, Belgjika, Bullgaria, Brazili, Zvicra, Kina, Gjermania, Kroacia, Irlanda, Meksika, Hollanda, Portugalia, Singapori dhe Ukraina.
Turistët u nisën më pas me autobuzë drejt qyteteve të Tiranës dhe Krujës, ndërsa një pjesë tjetër do të vizitojnë qendrat historike dhe muzeale të Durrësit.
Sipas të njejtave burime, kroçera “Sirena”, e cila ka vizituar Durrësin edhe vitin e kaluar, po kryen një tur në disa qytete turistikë në Greqi, Itali, Kroaci dhe Malin e Zi. Anija turistike me gjatësi 180 metra që mbërriti sot nga Kotorri (Mali i Zi) dhe do të vijojë lundrimin në mbrëmje drejt Argostolit (Greqi).
Që nga fillimi i këtij viti në portin e Durrësit kanë mbërritur 16 kroçera me 2,416 turistë nga vende të ndryshme të botës.