Mbërrin kroçera e parë e sezonit, përpunohen edhe pesë anije tregtare

Të shtunën në mëngjes në portin e Durrësit u ankorua kroçera “Berlin”, me 352 turistë në bord. 314 prej tyre janë nënshtetas gjermanë, por nuk mungojnë edhe turistë nga Austria (23), Zvicra (3), si dhe Bjellorusia, Kroacia, Hollanda, Norvegjia, Rusia dhe Afrika e Jugut.

Pjesa më e madhe, të organizuar në nëntë autobuzë turistikë u nisën drejt Beratit, Apollonisë (Fier), Tiranës dhe Krujës, ndërsa një grup tjetër do të vizitojë Durrësin dhe rrethinat e tij.

Kjo është kroçera e parë e këtij sezoni në portin më të madh të vendit, që do të vijojë me 20 kroçera dhe një numër të madh velierësh turistikë deri në fund të muajit nëntor.

Autoriteti Portual ka marrë të gjitha masat për pritjen e kroçerave me turistë të huaj. Në portin e Durrësit sot po përpunohen edhe pesë anije të tjera tregtare me një sasi

të përgjithshme prej 7700 ton mallra dhe 420 kontejnerë.

Në kalatën 10 janë ankoruar anijet Tera dhe Azov me vaj luledielli dhe skrap, në kalatën 6 anija Venus me kontejnerë, në kalatën 4 anija Grandway Star me makineri dhe në kalatën 1 anija Frojdi I me paleta ushqimore.