Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj inspektim të masave në Portin e Durrësit

Prononcimi për media pas vizitës:

Kemi ardhur sot në Portin e Durrësit për të parë masat e marra për përballimin e situatës së krijuar nga coronovirusi.

Konstatoj me kënaqësi që këtu është realizuar një volum shumë i madh pune dhe është marrë një numër i konsiderueshëm masash, të cilat kanë bërë që Porti të funksionojnë si në kushte normale, pavarësisht se jemi në situatë krejtësisht jo normale.

Vihet re me kënaqësi, që volumet e shkëmbimit të mallrave jo vetëm që nuk janë ulur, por janë rritur. Madje mësova me kënaqësi nga Drejtori i Doganës, nga Drejtori i Portit se sidomos volumi i importeve ushqimore është dyfishuar gjatë kësaj periudhe. Kjo do të thotë se asnjë problem nuk ka për furnizimin e qytetarëve me mallrat jetike.

Po ashtu edhe te Porti i Kontenierëve konstatohet e njëjta gjë, pra flukse të rritura në shërbimin e mallrave edhe në nivelin e mallrave industriale.

Por ajo që ka më shumë rëndësi është niveli shumë i mirë i masave të marra për sigurinë e atyre që operojnë Portin.

Punonjësit e Policisë, Punonjësit e Doganës, Punonjësit e Shëndetësisë, Punonjësit e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, shoferët të cilët meritojnë një falenderim dhe mirënjohje të thellë për arsye se janë ata të cilët e mbajnë gjallë këtë Port. Për rrjedhojë mbajnë gjallë gjithë vendin me ushqime dhe produkte të tjera jetike, jo vetëm Shqipërinë, por edhe Kosovën e ndoshta edhe më tej.

Besoj që koordinimi i mirë i punëve që bëhet nga të gjitha autoritetet, të cilat punojnë sikur të jenë një strukturë, jep garanci të plotë që Porti, kjo nyje shumë strategjike për funksionimin e vendit do të vijojë ta kryejë këtë mision me përgjegjësi të lartë.

Me këtë rast i kam falenderuar të gjithë drejtuesit dhe punonjësit e këtyre strukturave të ndryshme shtetërore të cilët janë të angazhuar në kuadër të një përpjekje shumë të veçantë dhe këta janë po ashtu pjesë e linjës së parë të punonjësve të shtetit të cilët përballen me këtë situatë të pazakontë.