Mjegulla e dendur e mëngjesit vonon ankorimin e trageteve -Nis përpunimi i anijeve në kalata-

Mjegulla e dendur ka përfshirë sot në orët e parë të ditës gjiun detar të Durrësit, çka po shkakton vonesa në ankorimin e trageteve në portin detar. Burime nga Qendra e Informacionit në APD, bënë të ditur se tragetet “AF Marina” dhe “Rigel III” kanë mbërritur nga Bari (Itali) në radën portuale rreth orës 7.00 dhe presin përmirsimin e kushteve të motit dhe largimin e mjegullës për të nisur procedurën e ankorimit në Terminalin e udhëtarëve.

Ndërkaq në kalatat 1 dhe 5 ka nisur pa probleme përpunimi i anijeve “General Aslanov” dhe “Aleksey Afanasyev” nga të cilat po shkarkohen rreth 8000 ton grurë gjithsej. Sapo të largohet mjegulla, menjëherë pas dy trageteve, pritet të ankorohen në kalatat 1 dhe 5 edhe dy anije të tjera, përkatësisht me 2 mijë ton grurë dhe 4 mijë ton nitrat.

Mjegulla është pasojë e ndryshimeve të temperaturave të ajrit pranë sipërfaqes detare të ujit, por situata pritet të normalizohet plotësisht gjatë orëve në vazhdim.