Modernizimi i Forcës së Sigurisë Portuale dhe Ekipit të Emergjencave në Portin e Durrësit/ 06 gusht 2020

Skuadra operative e Sigurisë Portuale dhe Reparti Zjarrfikës i Portit të Durrësit po pajisjen me mjete, uniforma, infrastrukturë dhe sisteme më moderne, në ushtrimin e veprimtarisë së tyre.

Prezantimi i këtyre investimeve është bërë ditën e sotme në ambjentet operacionale të Portit me prezencën e Zv. Komandantit të Forcës Detare kapiten i rangut I-rë z. Artur Meçollari, Prefektit të Qarkut Durrës, z. Roland Nasto, Kreut të Autoritetit Shtetëror të Sigurisë Portuale, z. Muharrem Trupja, dhe Drejtorit të Përgjithshëm Ekezkutiv të APD-së, z. Pirro Vengu.

“Përballimi me pasojat e tërmetit, masat ndaj pandemisë dhe rreziqeve që paraqesin operacionet portuale tregojnë se siguria portuale është një sfidë më komplekse se kurrë më parë”, pohoi Pirro Vengu në fjalën e tij. “Ndaj dhe investimet në teknologji, rikthimi i ekselencës si kriter rekrutimi në FSPD dhe rikthimi i dinjitetit në pozicionin e punës, janë tre pikat ku do të fokusohet vëmendja jonë  për ta bërë trupën operative një Forcë sigurie elitare, e aftë të përballojë dhe të parashikojë rreziqet duke i ardhur në ndihmë Agjencive Ligjzbatuese.”, u shpreh z. Vengu.

Ndërkohë, Prefekti Nasto, vlerësoi kontributin e përditshëm të APD-së, bashkëpunimin e Forcës së Sigurisë Portuale si dhe angazhimin e vazhdueshëm të Repartit Zjarrfikës të Portit në përballimin e emergjencave, operacioneve të shpëtimit dhe shuarjes së zjarreve në qytetin e Durrësit.