Situata e krijuar nga kushtet e motit të keq dhe detit të trazuar po monitorohet me kujdes nga specialistët e sigurisë dhe sektorët përkatës në drejtorinë e përgjithshme ekzekutive të Autoritetit Portual të Durrësit.
Problematikat e identifikuara që në fund të javës së kaluar janë trajtuar nga drejtori i përgjithshëm ekzekutiv Selim Belortaja në mbledhjen e posaçme ku morri pjesë edhe kapiteni i përgjithshëm i porteve, Hysni Aruçi dhe drejtuesit e FSPD, drejtorisë operacionale dhe të drejtorisë së mjedisit. Kjo tryezë funksionon çdo ditë me atributet e Shtabit për monitorimin e situatës. Tashmë janë marrë masa për sigurinë e të gjitha mjeteve lundruese, e veçanërisht të motopeshkatoreve brenda basenit. Specialistët monitorojnë rregullisht gjëndjen e elektrovinçave dhe të vinçave me goma në të gjitha kalatat e portit, ndërsa janë marrë masa të veçanta për ndihmën e apdrkiatorëve të shërbimeve detare në ankorimin e trageteve dhe të anijeve. Njëkohësisht janë inventarizuar të gjitha dëmtimet e shkaktuara gjatë këtyre ditëve, pavarsisht nga shkalla minimale e tyre. Drejtoria ekzekutive ka vënë në dijeni prokurorinë e rrethit të Durrësit për një nga mjetet lundruese nën sekuestro konservative brenda basenit portual, duke kërkuar bashkëpunimin e saj lidhur me krijimin e kushteve të sigurisë së anijes në kalatë.
Drejtori Belortaja dhe kapiteni Aruçi kanë gjetur mirkuptim për kufizimin e trafikut detar gjatë natës, me qëllim shmangien e rreziqeve. Fortunali i të premtes së kaluar dha sinjalin e parë për problematikat që mund të krijojë moti i keq edhe në hapësirën portuale dhe Drejtoria e përgjithshme ekzekutive e APD ka marrë të gjitha masat organizative për monitorimin dhe parandalimin e incidenteve të mundshme.