Dy tragetet e linjës Bari-Durrës do të mbërrijnë me një vonesë prej disa orësh sot në Durrës për shkak të motit të keq dhe detit të trazuar në brigjet italiane.
Nga burimet e Dispeçerisë, mësohet se tragetet “Francesca” dhe “Rigel” sapo janë nisur nga Bari drejt Durrësit, ndërsa nisja e tyre normale parashikohej në mesnatën e kaluar. Të dy tragetet që janë nisur nga Bari mëngjesin e sotëm pritet të mbërrijnë në portin e Durrësit sot në mbrëmje.
Moti i keq, era e fortë dhe deti i trazuar me forcë afro 7 ballë në brigjet e Adriatikut perëndimor kanë shkaktuar vonesa të ndjeshme prej 8-9 orësh në nisjen e mjeteve lundruese, ndërsa një vonesë prej disa orësh ka patur për të njejtën arsye edhe në nisjen e tragetit “Rigel I” nga Durrësi drejt Barit.
Këto ditë ka patur një rritje të numrit të udhëtarëve nga Bari dhe Ankona drejt Durrësit, kryesisht bashkëatdhetarë me punë dhe banim në qytete të ndryshme të Europës, të cilët rikthehen për të festuar ndërrimin e viteve pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë apo Maqedoni.