Moti i keq, tragetet mbërrijnë në kohë, anijet pengohen në përpunim nga reshjet

Moti i keq me erë të fortë dhe det të trazuar nuk e ka penguar mbërritjen në kohë të trageteve mëngjesin e së premtes, ndërsa reshjet e shiut po vështirësojnë përpunimin e anijeve tregtare.

Në radën portuale është ankoruar një anije tjetër me 3299 ton misër, ndërsa gjatë ditës priten tre anije të tjera me superfosfat, pleh dap dhe kontejnerë. Nga Qendra e Informacionit mësohet se dy tragetet e linjës Bari – Durrës, përkatësisht “AF Francesca” dhe “Bari” kanë mbërritur në port vetëm 30 minuta më vonë se sa grafiku i parashikuar, rreth orës 8.00-8.30 të mëngjesit. Mësohet gjithashtu se në kalatën 6 anija “Countship Vow”, e cila mbërriti pasditen e kaluar, vazhdon shkarkimin e 461 kontejnerëve. Anija “Nazmiye Ana” me 2000 ton pleh kimik dap në kalatën 2 e ka ndërprerë përpunimin për shkak të reshjeve të shiut që nisën gjatë natës.

Edhe sot gjatë ditës parashikohen reshje shiu, që mund të vështirësojnë përpunimin e anijeve në kalata.