Moti i keq, tragetet nga Durrësi dhe nga Bari nisen me disa orë vonesë

Moti i keq me erë të fortë dhe det të trazuar gjatë natës së kaluar ka penguar lundrimin normal të trageteve të linjës Durrës-Bari-Durrës.

Nga Qendra e Informacionit mësohet se dy tragetet e linjës Bari – Durrës, përkatësisht “Bari” dhe “AF Francesca” janë nisur me disa orë vonesë nga porti i Durrësit drejt Barit. Sipas të njejtave burime, tragetet janë nisur rreth orës 5.00 të mëngjesit, me rreth një orë distancë kohore nga njeri tjetri.

Për shkak të motit të keq, të njejtat probleme janë hasur edhe në portin e Barit (Itali), ku tragetet e linjës Bari-Durrës janë nisur vetëm sot në orët e para të ditës. Burimet e Qendrës së Informacionit bëjnë me dije se trageti “Rigel II” pritet në Durrës sot në mesditë, ndërsa mbërritja e tragetit “AF Marina” parashikohet edhe më vonë.

Në portin e Durrësit është nisur gjithashtu me vonesë edhe trageti “AF Michela” i linjës Durrës-Ankona. Pasi tentoi nisjen rreth orës 21.00 të mbrëmjes së kaluar, trageti u riakostua në port për shkak të motit të keq. Sot paradite trageti “AF Michela” u nis për lundrim rreth orës 10.00.