Ndërrimi i viteve: APD uron festën, vijon përpunimi i anijeve dhe trageteve 31 dhjetor 2014

Drejtoria ekzekutive e Autoritetit Portual të Durrësit uron të gjithë qytetarët shqiptarë në festën e ndërrimit të viteve.

Një urim i veçantë shkon për punonjësit e tij në vite; për bashkëpunëtorët; operatorët portualë; institucionet dhe shërbimet në hapësirën e tij; kompanitë konçesionare dhe agjencitë detare, ato të lundrimit, spedicionere dhe të transportit, si dhe firmat kontraktuese.

Le të sjellë Viti i Ri 2015 shëndet, paqe e mbarësi për të gjithë ata dhe familjet e tyre!

Urime të përzemërta punonjësve që në këto ditë ndërrimi të viteve iu duhet të qëndrojnë në krye të detyrave.

Sepse edhe në këto ditë në kalatat e portit të Durrësit vijon normalisht puna për përpunimin e anijeve dhe trageteve.

Forca e Sigurisë portuale ka marrë masa shtesë për të gjithë periudhën e fluksit të udhëtarëve në hyrje dhe dalje nga porti më I madh I vendit.

Në kalatat 1, 5 dhe 10 po shkarkohen katër anije tregtare, me rreth

18.400 ton mall, si llamarinë, çimento, xhama dhe skrap. Pranë tyre punojnë tre skuadra punonjësish dhe gjashtë elektrovinça. Procesi i përpunimit të anijeve do të vazhdojë edhe në ditën e parë të vitit 2015.

Ndërkaq në kalatën e Terminalit të udhëtarëve janë ankoruar tre tragete që kanë mbërritur nga porti I Barit këtë vit.

Në radën portuale pret një anije anije me grurë, ndërsa po sot parashikohet të mbërrijnë edhe dy anije të tjera përkatësisht me 3300 ton skrap dhe 216 kontejnerë.