Drejtoria e përgjithshme Ekzekutive e APD-së dhe Drejtoria e Mjedisit kanë analizuar situatën e krijuar në kalatën 10, ku paraditen e djeshme u konstatua ndotja e një sipërfaqeje ujore pranë sektorit të peshkimit.
Tubacioni i ujrave të bardha të shiut në këtë zonë, dje shkarkoi edhe një sasi ujrash të ndotura, për të cilat Drejtoria e APD-së kërkoi mbështetjen e specialistëve të UKD-së (Ujësjellës Kanalizime Durrës). Së bashku me specialistët e mjedisit dhe laboratorit në APD, tashmë mostrat e ujit të ndotur janë dërguar për analizat mikrobiologjike në Laboratorin e Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik në Durrës.
Specialistët po monitorojnë situatën edhe për lidhje të mundshme abuzive të tubacioneve nga qyteti drejt portit. Pas njoftimeve përkatëse nga APD, grupit të përbashkët të specialistëve i janë shtuar edhe inspektorët e Qendrës NdërOperacionale Detare si dhe ata të Inspektoriatit vendor të mjedisit.