Në kalatat e portit përpunohen pesë anije, priten edhe katër të tjera -Vetëm në tre anije përpunohen mbi 36 mijë ton mallra- 11 shkurt 2015

Në kalatat e portit të Durrësit sot paradite po përpunohen pesë anije tregtare, dy nga të cilat po shkarkojnë 520 kontejnerë, ndërsa në tre të tjerat po përpunohen 36.380 ton mallra gjithsej.

Sipas burimeve të dispeçerisë portuale, në kalatën 11 që prej dy ditësh anija “Jian Qiang” po ngarkon 25 mijë ton klinker, lëndë e parë për prodhimin e çimentos, e cila nga Fushë Kruja e Durrësi drejtohet në portet e Egjiptit. Që nga fillimi i këtij viti kjo është anija e katërt me kapacitete mbi 16 mijë ton që ngarkohet me klinker prodhim vendi në portin e Durrësit. Në kalatën 10 nga anija “Brightway” po shkarkohen 11 mijë ton qymyr, që ka mbërritur nga portet e Rusisë me destinacion një nga fabrikat e çimentos në Fushë Krujë.

Plehrat kimike për bujqësinë, përkatësisht 2380 ton superfosfat po shkarkohen nga anija “Roger” e bregëzuar në kalatën 1.

Ndërkaq mësohet se në 48 orët e ardhshme priten edhe katër anije të tjera tregtare, dy prej të cilave me 277 kontejnerë gjithsej dhe dy të tjerat përkatësisht me 5200 ton kripë dhe 3300 ton skrap.