Në prag të festave te fundvitit: Gjashtë tragete për transportin e udhëtarëve dhe automjeteve

Trageti “Rigel II” është rikthyer në linjën Durrës – Bari e kthim, për t’iu përgjigjur rritjes së numrit të udhëtarëve dhe automjeteve në prag të festave të fundvitit.

Aktualisht, numri i përgjithshëm i trageteve në linjat detare është gjashtë. Ndërkaq, nga Qendra e Informacionit në APD, bëhet me dije se rreth dt 23 dhjetor pritet edhe shtimi i lundrimeve të trageteve në linjat Durrës-Bari e Durrës-Ankona e kthim.

Si çdo fundviti edhe në kapërcyellin e viteve 2017-2018 parashikohet një rritje e ndjeshme e numrit të udhëtarëve vendas që preferojnë të udhëtojnë me tragete drejt portit të Durrësit, për t’iu drejtuar më pas familjeve të tyre në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Tragetet e linjave Durrës-Bari e Durrës-Ankona-Trieste e kthim, gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti janë shfrytëzuar nga 818.440 udhëtarë me 171.828 autovetura gjithsej.