Nesër paradite në portin e Durrësit pritet të mbërrijë kroçera e parë e këtij sezoni turistik. Pas prillit të vitit të kaluar, anija turistike “La Belle de L’Adriatique” vjen për herë të dytë në portin më të madh të vendit tonë.
Kroçera ka 188 turistë francezë në bord, njofton agjencia “Intermed Shiping”. Ajo do të lundrojë nga Bari (Itali) drejt Durrësit natën e së martës dhe pritet të ankorohet në kalatën 5 të hënën rreth orës 7.00. Kroçera ka një gjatësi prej 110 metrash dhe pas qëndrimit deri mbrëmjen e së mërkurës në Durrës do të niset drejt Dubrovnikut.
“La Belle de L’Adriatique” është kroçera e parë e vitit, ndërsa kroçera “Berlin do të jetë e fundit dhe pritet të mbërrijë në fund të muajit tetor të këtij viti. Gjatë qëndrimit në vendin tonë turistët vizitojnë qytetet e Durrësit, Krujës, Beratit dhe Tiranës.
Megjithëse Durrësi është një port përpunimi mallrash, vazhdimisht APD ka marrë të gjitha masat për ankorimin e kroçerave në kalatat qendrore 4 dhe 5, si dhe për lehtësimin e lëvizjes së turistëve në hapësirën portuale gjatë qëndrimit prej 10-14 orë në Durrës.