Nxënësit e shkollave 9-vjeçare të qytetit të Durrësit kanë filluar vizitat në anijen – shkollë “Palinuro” të Forcave Detare Italiane. Anija velierë ka mbërritur dje në Durrës ku do të qëndrojë deri të hënën e ardhshme. Afro 100 nxënës të klasave të 4-ta dhe të 5-ta të shkollës “Migjeni” kanë nisur sot paradite vizitat në anijen që është ankoruar në kalatën 4 të portit më të madh të vendit.
Të shoqëruar nga punonjësit e Sektorit të Promocionit në APD, nxënësit 10-12-vjeçarë u njohën me historikun e kësaj anije.
Në ditët e ardhshme anijen do ta vizitojnë edhe nxënës dhe qytetarë të Durrësit.
Me një “moshë” 83-vjeçare, anija “Palinuro” ka filluar shërbimin në forcat detare të vendit fqinj në vitin 1955.
Ajo ka një gjatësi prej 69 metrash dhe arrin shpejtësinë 8 milje/orë.
Anija shkollë “Palinuro” ka mbërritur nga porti i Tarantos (Italia jugore) drejt Durrësit për të vijuar më pas drejt Kotorrit (Mali i Zi) dhe Ankonës (Itali).