Përurohet fotoekspozita “Porti i Durrësit – 25 vjet pas eksodit”

Një homazh për qindra e mijra të rinj e të reja shqiptare që u larguan me anije nga vendi, duke i dhënë grushtin e fundit diktaturës. Kështu u konsiderua sot paradite fotoekspozita “Porti i Durrësit – 25 vjet pas Eksodit”, e cila u hap në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” të qytetit të Durrësit.

Kjo veprimtari u organizua nga Autoriteti Portual, në bashkëpunim me Bashkinë Durrës dhe Agjencinë zyrtare të shtypit ATSH dhe synon të forcojë lidhjet e APD me komunitetin e Durrësit dhe institucionet vendore e qëndrore.

Në ceremoninë e përurimit, ku morrën pjesë deputetë, drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të shoqatave, si dhe qytetarë durrsakë, drejtori i APD, Gazmend Shalsi, nënvizoi rëndësinë e atyre ditëve të marsit dhe gushtit 1991, kur nëpërmjet portit më të madh të vendit mijra shqiptarë u larguan në kërkim të një jete më të mirë. Ai vlerësoi bashkëpunimin me institucionet realizuese të ekspozitës, edhe për projekte të tjera në të ardhmen.

Sipas drejtorit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Gëzim Podgorica, në arkivën e këtij institucioni gjënden materiale të shkruara si dhe foto që nga viti 1945. 25 fotot e paraqitura sot me logon e ATSH-së mbajnë firmën e fotografëve Gani Xhengo, Arben Çela dhe Mihal Progonati, dhe bashkë me ngjarjet e eksodit të vitit 1991 sjellin edhe momente nga puna në port gjatë viteve 1970-1980.

Kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, kujtoi ditët e trishtuara të marsit dhe gushtit të vitit 1991 jo vetëm për qytetin e Durrësit. Dako vlerësoi se në këto 25 vjet kanë ndodhur ndryshime pozitive si në portin e Durrësit, ashtu edhe në qytetin bregdetar. Sipas kryebashkiakut Dako, bashkëpunimi me Autoritetin portual dhe institucione të tjera të qytetit do të mbetet një prioritet për bashkinë e qytetit të Durrësit.

Më pas të pranishmit vizituan eksponatet me foto nga eksodi i vitit 1991, si dhe me foto nga ajri, të realizuara nga fotografi i njohur Alket Islami. Ata ndoqën edhe pamjet filmike të eksodit të vitit 1991.

Fotoekspozita do të jetë e hapur deri më 7 mars.